“Udhëtoni nëpër botë ju (idhujtarë) edhe katër muaj (të sigurt), por ta dini se nuk do të mund t’i shpëtoni Allahut dhe se Allahu do t’i poshtërojë mohuesit”;
Ja shpallja e Allahut dhe e të Dërguarit të Tij drejtuar njerëzve në ditën e haxhit të madh: “Allahu dhe i Dërguari i Tij shkëpusin çdo detyrim ndaj idhujtarëve”. Nëse ju (idhujtarë) pendoheni, është më mirë për ju; por, nëse largoheni (nga pendimi), ta dini se nuk do të mund t’i shpëtoni Allahut! Njoftoji mohuesit për dënimin e dhembshëm (që i pret).
Përjashtim bëjnë ata idhujtarë, me të cilët keni lidhur marrëveshje e që nuk ju kanë shkelur asgjë prej saj dhe që nuk kanë ndihmuar askënd kundër jush. Respektojeni marrëveshjen me ta deri në fund. Me të vërtetë, Allahu i do ata që (i) frikësohen (Atij).
Kur të kalojnë muajt e shenjtë (në të cilët ndalohet lufta), atëherë i vritni idhujtarët kudo që t’i ndeshni, i zini robër, i rrethoni dhe u bëni pusi kudo! Por, nëse pendohen, falin namazin dhe japin zekatin, atëherë i lini të qetë! Vërtet, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.
Nëse ndonjë nga idhujtarët kërkon mbrojtje nga ti (Muhamed), mbroje, në mënyrë që të dëgjojë fjalën e Allahut, e pastaj përcille në vendin e tij të sigurt. Kështu duhet, sepse ata janë njerëz që nuk dinë.
Si mund të kenë idhujtarët besëlidhje me Allahun dhe të Dërguarin e Tij, me përjashtim të atyre me të cilët keni lidhur ju marrëveshje te Xhamia e Shenjtë?! Sa kohë që ata t’i përmbahen marrëveshjes - përmbajuni edhe ju, sepse Allahu i do ata që (i) frikësohen (Atij).
Si (mund t’u besoni) kur, nëse ju mundin, ata nuk e respektojnë as farefisninë, as marrëveshjen? Ata ju kënaqin me fjalë, ndërsa zemrat e tyre ju kundërshtojnë; shumica e tyre janë të ligj.
Por, nëse ata e prishin betimin pas lidhjes së marrëveshjes dhe sulmojnë fenë tuaj, atëherë luftoni kundër krerëve të mosbesimit - sepse ata nuk kanë besë - që të mund të frenohen (nga të këqijat).
Vallë, a nuk do të luftoni kundër atyre që e kanë shkelur besëlidhjen, janë përpjekur ta dëbojnë të Dërguarin dhe kanë filluar të parët t’ju sulmojnë?! Vallë, nga ata keni frikë? Allahu e meriton më shumë se ata që t’i frikësoheni, nëse jeni besimtarë!
Vërtet mendoni se do të liheni të qetë para se Allahu t’i ketë njohur ata midis jush që kanë luftuar dhe që nuk kanë kërkuar aleatë të tjerë, përveç Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve?! Allahu e di mirë se çfarë bëni.
Nuk u takon idhujtarëve të përkujdesen për faltoret e Allahut, përderisa edhe ata vetë dëshmojnë se janë jobesimtarë. Të kota do të jenë vepra e tyre dhe në zjarrin e Xhehenemit do të qëndrojnë përgjithmonë.
Faltoret e Allahut i vizitojnë dhe i mirëmbajnë vetëm ata që besojnë Allahun dhe Ditën e Fundit, që falin namazin dhe japin zekatin e që nuk i frikësohen askujt, përveç Allahut. Sigurisht që këta janë në rrugë të drejtë.
Vërtet mendoni se ai që u jep ujë haxhilerëve dhe mirëmban Xhaminë e Shenjtë është njësoj me atë që beson në Allahun dhe Ditën e Fundit dhe që lufton në rrugën e Allahut?! Këta nuk janë të njëjtë para Allahut. Ai nuk i udhëzon në rrugë të drejtë njerëzit keqbërës.
Ata që besojnë, mërgojnë dhe luftojnë në rrugën e Allahut me pasurinë e tyre dhe jetën e tyre, janë në shkallë më të lartë tek Allahu. Pikërisht këta janë të fituarit.
O besimtarë! Mos i pranoni për mbrojtës baballarët dhe vëllezërit tuaj, nëse ata e duan mosbesimin më shumë sesa besimin. Kushdo prej jush që i merr ata për mbrojtës, është keqbërës.
Thuaj: “Nëse etërit tuaj, bijtë tuaj, vëllezërit tuaj, gratë tuaja, farefisi juaj, pasuria juaj që e keni fituar, tregtia për të cilën keni frikë se nuk do të shkojë mirë dhe shtëpitë ku e ndieni veten rehat, janë më të dashura për ju sesa Allahu, i Dërguari i Tij dhe lufta në rrugën e Tij, atëherë pritni derisa Allahu të sjellë vendimin (dënimin) e Tij. Allahu nuk e udhëzon në rrugën e drejtë popullin e pabindur.”
Në të vërtetë, Allahu ju ka ndihmuar në shumë beteja, si dhe në ditën e (luftës së) Hunejnit, kur ju ju mahniti numri juaj i madh. Por ai numër nuk ju solli dobi aspak, sepse toka ju duk juve e ngushtë, edhe pse është e gjerë dhe kthyet shpinën duke ia mbathur.
Pastaj, Allahu zbriti qetësinë[120] e Tij mbi të Dërguarin e Vet dhe mbi besimtarët, si dhe zbriti luftëtarë (engjëj), të cilët ju nuk i patë dot e i dënoi jobesimtarët. Kështu u “shpërblyen” mohuesit.
O besimtarë! Në të vërtetë, idhujtarët janë të papastër (për shkak të besimit të kotë), prandaj të mos i afrohen më Xhamisë së Shenjtë pas këtij viti. Dhe mos kini frikë nga varfëria, sepse, po deshi, Allahu ju bën të pasur me dhuntitë e veta.[121] Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.
[121] Frika se vendimi për të mos i lejuar më jomyslimanët të hyjnë në Mekë mund të shkaktonte rënie të tregtisë, i shqetësonte jo pak mekasit. Prandaj, Allahu i Lartmadhëruar i siguron besimtarët se do t’i pasurojë me begatitë e Veta.
Luftojini ata që nuk besojnë në Allahun e as në Ditën e Kiametit, që nuk e marrin për të ndaluar atë që e ka ndaluar Allahu dhe i Dërguari i Tij, dhe ata, midis atyre që u është dhënë Libri, që nuk e pranojnë fenë e vërtetë, derisa të japin xhizjen (taksën)[122] me dorën e tyre, duke qenë të përulur.
[122] “Xhizje” quhet taksa vjetore, nëpërmjet së cilës hebrenjtë dhe të krishterët shprehin njohjen e tyre për shtetin islam. Pagimi i kësaj takse u jepte atyre statusin e “dhimmi-ut” - të mbrojturit, përmes të cilit fitonin të drejtën të jetonin në paqe dhe siguri në shtetin islam dhe të ushtronin pa pengesë fenë e tyre. Sigurisht që kjo taksë nuk ishte diskriminuese, sepse hebrenjtë dhe të krishterët ishin të përjashtuar nga dhënia e zekatit, që, për shkak të veçorive të tij, ishte detyrim vetëm për besimtarët. Në kohën e Profetit Muhamed (a.s.), sasia e xhizjes ishte dhjetë derhemë (rreth 30 gr argjend) për çdo mashkull të rritur, që në kohën tonë është e barasvlefshme me shpenzimet ushqimore të dhjetë ditëve. Gjithsesi, gratë, fëmijët, skllevërit dhe të varfrit ishin të përjashtuar nga kjo taksë.
Hebrenjtë thonë: “Uzejri është i biri i Allahut”, të krishterët thonë: “Mesihu është i biri i Allahut”. Këto janë fjalët e tyre, nga goja e tyre, i imitojnë fjalët e jobesimtarëve të mëparshëm. I vraftë Allahu! Si po shmangen (nga e vërteta)!
Në vend të Allahut, ata kanë zgjedhur për zot rabinët dhe murgjit e tyre, si dhe Mesinë, të birin e Merjemes, ndërkohë që janë urdhëruar të adhurojnë vetëm një Zot, përveç të Cilit nuk ka tjetër që meriton të adhurohet. I lartësuar qoftë Ai mbi gjithçka që ia shoqërojnë (në adhurim).
Ata dëshirojnë ta fikin dritën (fenë) e Allahut me gojën e tyre, por Allahu ka vendosur vetëm që ta përsosë dritën e Vet, edhe sikur mohuesit ta urrejnë këtë gjë.
(Allahu) Është Ai që e ka dërguar të Dërguarin e Tij me udhërrëfimin (Kuranin) dhe fenë e së vërtetës, për ta lartësuar atë mbi të gjitha fetë[123], edhe sikur idhujtarët ta urrejnë këtë gjë.
[123] D. m. th. për ta lartësuar me anë të suksesit të qëndrueshëm dhe argumentit të qartë. Vini re se feja islame është e tillë që i lë pas të gjitha fetë e tjera dhe se nuk ka një lidhje të domosdoshme ndërmjet epërsisë fetare të Islamit dhe supremacisë politike të shteteve myslimane.
O besimtarë! Në të vërtetë, shumë priftërinj dhe murgj përlajnë pasurinë e njerëzve pa të drejtë dhe i largojnë ata nga rruga e Allahut. Ata që grumbullojnë ar dhe argjend dhe nuk e shpenzojnë për hir të Allahut, paralajmëroji me dënim të dhembshëm.
Do të vijë dita, kur (thesaret e mbledhura) do të digjen në zjarrin e Xhehenemit dhe me to do të damkoset balli, anët dhe shpina e tyre e do t’u thuhet: “Kjo është ajo që keni grumbulluar për veten; pra, shijoni atë që grumbulluat!”
Vërtet, numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë, sipas Librit të Allahut, që prej ditës kur krijoi qiejt dhe Tokën. Katër prej tyre janë të shenjtë, sipas besimit të drejtë. Prandaj, mos i bëni vetes dëm, duke i shkelur këta muaj! Megjithatë, luftoni të gjithë kundër idhujtarëve, ashtu si luftojnë ata të gjithë kundër jush. Ta dini se Allahu është me ata që ruhen nga gjynahet.
Vërtet, muaji shtesë është vetëm shtesë në mosbesim. Për shkak të tij jobesimtarët shkojnë në humbje: një vit e quajnë të lejueshëm e vitin tjetër, të ndaluar, për të plotësuar numrin e muajve që i ka ndaluar Allahu.[124] Kështu, ata lejojnë atë që ka ndaluar Allahu. Atyre u duken të bukura veprat e tyre të shëmtuara. Allahu nuk i udhëzon në rrugë të drejtë njerëzit jobesimtarë.
[124] Ky varg është themelor për sa i përket përkufizimit islam të ndarjes së kohës. Kalendari hënor përmban 354 ditë, 11 më pak se ai diellor (12 kur viti është i brishtë). Për këtë arsye, astronomët e periudhës paraislame shtonin një muaj në çdo tre vjet, duke rivënë harmoninë midis kalendarit hënor dhe atij diellor. Përveç arsyeve astronomike, ky muaj shtesë shërbente për t’u ndërfutur edhe midis muajve të shenjtë – gjatë të cilëve nuk lejohej lufta – me qëllim që plaçkitësit të kishin pretekst për të sulmuar karvanët e haxhilerëve, duke pretenduar se ishin në kohën që lejohej lufta. Një aspekt tjetër i kësaj reforme të kalendarit, është muaji i agjërimit, ramazani, i cili çdo vit fillon 11-12 ditë më herët se vitin paraardhës, duke bërë që në 33 vjet, ai të bëjë një xhiro të plotë të kalendarit diellor. Me vendosjen e këtij ligji që ka vlerë të përgjithshme, Allahu i Madhëruar, me dijen e Tij, ka zhdukur çdo mundësi pabarazie në trajtim midis myslimanëve që jetojnë në pjesë të ndryshme të botës. Nëse muaji i agjërimit do të ecte sipas kalendarit diellor, disa besimtarë do të agjëronin gjithnjë në periudha të nxehta me ditë të gjata, kurse disa të tjerë do të agjëronin në ditë të freskëta e të shkurtra, pra, me më pak angazhim dhe meritë.
O besimtarë! Çfarë keni që ngurroni e mbërtheheni fort për toke kur ju thuhet: “Dilni në luftë, në rrugën e Allahut?! A jeni të kënaqur me jetën e kësaj bote, në vend të së amshueshmes?! Kënaqësia e kësaj bote, në krahasim me atë të botës tjetër, është shumë e vogël.
Nëse nuk shkoni në luftë, Ai do t’ju ndëshkojë me dënim të dhembshëm dhe do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër; Atij ju nuk do të mund t’i bëni dëm aspak, se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.
Nëse ju nuk e ndihmoni atë (Muhamedin a.s.), Allahu tashmë e ka ndihmuar ditën kur atë e dëbuan mohuesit vetë të dytin, kur ishin në shpellë e ai i thoshte shokut të vet (Ebu Bekrit): “Mos u mërzit, se Allahu është vërtet me ne!” Atëherë, Allahu zbriti qetësinë e Vet mbi të, e ndihmoi me një ushtri të padukshme (engjëjsh) dhe bëri që fjala e mosbesimtarëve të jetë më e poshtëruara, kurse Fjala e Allahut të jetë më e lartësuara. Vërtet, Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.
Dilni në luftë, qofshi të shëndoshë ose të sëmurë dhe luftoni me pasurinë e jetën tuaj në rrugën e Allahut! Kjo është më mirë për ju, veç sikur ta dinit!
Po të ishte përfitimi afër dhe rruga jo aq e gjatë, ata do të vinin pas teje. Por iu duk rrugë e largët. Dhe ata do të betohen në Allahun: “Sikur të kishim mundur, me siguri do të dilnim bashkë me ju;” dhe kështu ata e shkatërrojnë vetveten; Allahu e di se ata janë gënjeshtarë.
Nuk do të të kërkojnë leje për të mos luftuar me pasurinë dhe jetën e tyre, ata që besojnë në Allahun dhe Ditën e Kiametit. E Allahu i di mirë ata që ruhen nga gjynahet.
Sikur ata të kishin dashur të dilnin me ty, do të ishin përgatitur; por Allahu nuk e pëlqeu vajtjen e tyre, prandaj i pengoi dhe atyre iu tha: “Rrini me ata (të paaftë për luftë) që do të ulen (në shtëpi)!”
Sikur të kishin dalë me ju, ata do t’ju shtonin juve vetëm të keqe, do të shtinin ngatërresa midis jush dhe do të ngjallnin përçarje, sepse edhe ndër ju ka nga ata që ua vënë veshin. Por Allahu i njeh mirë keqbërësit.
Ata edhe më parë përpiqeshin të të nxirrnin ngatërresa dhe t’i pështjellonin punët e tua, deri sa erdhi e Vërteta (fitorja) dhe u tregua e qartë feja e Allahut, gjë që ata e urrenin.
Disa prej atyre (hipokritëve) thonë: “Më lejo (të mungoj në luftë) dhe mos më vër në sprovë!” Ja, ata ranë pikërisht në sprovë. Me të vërtetë, Xhehenemi i përfshin mohuesit.
Thuaj: “Çfarë prisni për ne, përveçse njërës prej dy të mirave (fitores ose martirizimit)? Ndërsa ne po presim që Allahu t’ju godasë me dënim nga ana e Tij ose me duart tona. Pra, pritni se edhe ne me ju do të presim”.
Ndihmesat e tyre nuk do të pranohen, ngase ata janë njerëz që nuk besojnë në Allahun dhe të Dërguarin e Tij, namazit i afrohen vetëm në mënyrë të ngathët dhe nuk shpenzojnë (nga pasuria), veçse në mënyrë përbuzëse.
Mos u josh (o Muhamed) nga pasuria dhe fëmijët e tyre, sepse nëpërmjet tyre Allahu kërkon t’i ndëshkojë ata në këtë jetë, kështu që t’u dalë shpirti duke qenë jobesimtarë.
Ka edhe të tillë që të qortojnë për shkak të ndarjes së lëmoshës. Nëse atyre u jepet ndonjë pjesë, ata kënaqen, por, nëse nuk u jepet, përnjëherë zemërohen.
Sikur ata të kënaqeshin me atë që u ka dhënë Allahu dhe i Dërguari i Tij, do të thoshin: “Na mjafton Allahu! Allahu do të na japë nga mirësitë e Veta; edhe i Dërguari i Tij. Ne vetëm tek Allahu i varim shpresat”.
Lëmosha e zekatit është vetëm për të varfrit, për nevojtarët, për ata që janë ngarkuar me mbledhjen dhe administrimin e tij, për ata të cilëve u duhet fituar zemra (në Islam), për lirimin e skllevërve, për të rënduarit nga borxhet, për (luftëtarët në) rrugën e Allahut dhe për udhëtarët e mbetur rrugëve. Këto janë detyrat e vëna prej Allahut. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.
Ka të atillë që e shqetësojnë të Dërguarin dhe thonë: “Ai dëgjon çdo gjë që i thuhet”. Thuaj (o Muhamed): “Ai dëgjon atë që është e mirë për ju, beson në Allahun dhe u beson besimtarëve. Ai është mëshirë për ata midis jush që besojnë. Kurse ata që e lëndojnë të Dërguarin e Allahut, i pret një ndëshkim i dhembshëm.”
Vallë, a nuk e dinë ata, se për atë që e kundërshton Allahun dhe të Dërguarit e Tij, është përgatitur zjarri i Xhehenemit, në të cilin do të qëndrojë përherë? Ky është poshtërimi më i madh!
Hipokritët druajnë se do të shpallet ndonjë sure e cila do t’i lajmërojë se ç’ka në zemrat e tyre. Thuaj: “Talluni po deshët! Allahu sigurisht që do ta nxjerrë në pah atë së cilës ju i druheni”.
Nëse i pyet, ata do të të përgjigjen: “Ne vetëm po bënim shaka dhe po luanim”. Thuaj: “A mos vallë me Allahun, shpalljet dhe të Dërguarin e Tij po talleni?”
Mos u shfajësoni! Ju e mohuat fenë, pasi patët besuar. Nëse Ne i falim disa prej jush (për shkak se u penduan), do t’i ndëshkojmë të tjerët, ngase janë fajtorë (nuk u penduan për talljen që bënë).
Hipokritët dhe hipokritet janë të ngjashëm me njëri - tjetrin: kërkojnë që të bëhen vepra të këqija e pengojnë të mirat dhe janë dorështrënguar. Ata e kanë harruar Allahun, por edhe Ai i ka harruar ata. Me të vërtetë, hipokritët janë keqbërës.
Allahu u ka premtuar hipokritëve, hipokriteve dhe jobesimtarëve zjarrin e Xhehenemit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë; ai do t’iu mjaftojë atyre! Allahu i ka mallkuar dhe ata do të kenë dënim të vazhdueshëm.
(Ju hipokritë jeni) si ata që kanë qenë para jush! Ata kanë qenë më të fortë se ju, kanë pasur më shumë pasuri dhe fëmijë. Ata janë kënaqur me pjesën e vet të kësaj bote, por edhe ju po kënaqeni me pjesën tuaj siç janë kënaqur edhe ata; edhe ju jeni dhënë pas të këqijave, ashtu siç ishin dhënë ata. Veprat e tyre do të zhduken në këtë botë dhe në tjetrën; ata janë të shkatërruar.
A nuk kanë dëgjuar ata për popujt që kanë qenë më përpara: për popullin e Nuhut, për fiset Ad dhe Themud, për popullin e Ibrahimit, për banorët e Medjenit dhe për qytetet e përmbysura (të popullit të Lutit)? Të dërguarit e tyre u sollën shenja të qarta. Allahu nuk u bëri padrejtësi, por ata i bënë padrejtësi vetvetes.
Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin. Ata urdhërojnë që të bëhen vepra të mira dhe i ndalojnë të këqijat; falin namazin, japin zekatin dhe i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Këta janë ata që do t’i mëshirojë Allahu. Se, Allahu me të vërtetë, është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.
Allahu u ka premtuar besimtarëve dhe besimtareve kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të banojnë përgjithmonë, si dhe pallate të mrekullueshme në Xhenetin e Adnit. Por kënaqësia prej Allahut është shpërblimi më i madh.[125] Kjo është fitorja madhështore.
[125] “por kënaqësia prej Allahut është shpërblimi më i madh...”: Ky varg është shumë i rëndësishëm për të kuptuar drejt realitetin në Xhenet. Përtej përshkrimeve të kënaqësive ndjesore, theksohet vlera më e madhe për ata që do të hyjnë në Xhenet: kënaqësia dhe miratimi i Zotit të tyre, Allahut të Lartmadhëruar, vlera më e madhe për besimtarët.
Hipokritët betohen për Allahun se nuk thanë asgjë (të keqe). Por, në të vërtetë, ata thanë fjalën e mosbesimit, mohuan pas (pranimit të) Islamit dhe synuan të bënin gjëra të paarritshme. Ata u bënë keqdashës, vetëm sepse Allahu dhe i Dërguari i Tij u kishin dhënë (besimtarëve) nga të mirat e Tij. Nëse pendohen, do të jetë më mirë për ta; por, nëse kthejnë shpinën, Allahu do t’i ndëshkojë me dënim të rëndë në këtë jetë dhe në tjetrën dhe ata nuk do të kenë kurrfarë mbrojtësi apo ndihmësi në Tokë.
Ka nga ata (hipokritë) që kanë bërë besëlidhjen me Allahun, duke thënë: “Nëse Ai na jep nga dhuntitë e Tij, sigurisht që do të japim lëmoshë dhe sigurisht që do të bëhemi njerëz të mirë”!
Prandaj, Ai ua lidhi hipokrizinë në zemrat e tyre, deri në ditën kur do të dalin para Tij, sepse e shkelën premtimin dhënë Allahut. Ata e kishin zakon gënjeshtrën.
Sa për ata (hipokritë) që përqeshin besimtarët që japin lëmoshë me vullnet dhe tallen me ata që nuk janë në gjendje të japin gjë përveç (fryteve të) punës së tyre, Allahu do të tallet me ta. Ata do të kenë dënim të dhembshëm.
U lute për ta apo nuk u lute (o Muhamed), Allahu nuk do t’i falë, edhe sikur ti të kërkosh falje për ta shtatëdhjetë herë! Kjo sepse ata e mohuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Allahu nuk i udhëzon në rrugë të mbarë njerëzit e pabindur.
Ata që mbetën në shtëpitë e tyre, pas (daljes për luftë të) të Dërguarit të Allahut, u gëzuan; nuk u pëlqente të luftonin në rrugën e Allahut me pasurinë dhe jetën e tyre dhe thanë: “Mos shkoni në luftë, nëpër vapë!” Thuaju: “Zjarri i Xhehenemit është edhe më i nxehtë!” Veç sikur të kuptonin!
Dhe, nëse të kthen Allahu (pas betejës) te një grup i hipokritëve e ata kërkojnë leje nga ti që të shkojnë me ty në luftë, thuaju (o Muhamed): “Kurrë nuk do të vini me mua në luftë dhe kurrë nuk do të luftoni me mua kundër armikut! Ju ishit të kënaqur kur nuk erdhët herën e parë, prandaj rrini me ata që ngelin pas”.
Askujt prej hipokritëve, kur të vdesin, mos ia fal xhenazen, as mos rri afër varrit të hipokritit, sepse ata e kanë mohuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe qëndruan të pabindur deri në vdekje.
Mos u josh (o Muhamed) nga pasuria dhe fëmijët e tyre, sepse nëpërmjet tyre Allahu kërkon t’i ndëshkojë ata në këtë jetë, në mënyrë që t’u dalë shpirti duke qenë jobesimtarë.
Dhe kur shpallet një sure që thotë: “Besoni Allahun dhe luftoni së bashku me të Dërguarin e Tij!” pasanikët e tyre (hipokritëve) kërkojnë leje, duke thënë: “Na lini të rrimë me ata që nuk shkojnë në luftë!”
Por, i Dërguari dhe ata që besojnë në të, luftojnë me pasurinë e tyre dhe jetën e tyre. Për ata do të ketë çdo të mirë dhe pikërisht ata do të jenë të shpëtuarit.
Disa beduinë erdhën me shfajësime, duke të të kërkuar leje, që të mos shkonin në luftë. Dhe munguan ata që e gënjyen Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Ata prej atyre që mohuan, me të vërtetë, do t’i godasë një dënim i dhembshëm.
Nuk është gjynah të mos shkojnë në luftë të dobëtit, as të sëmurët, as ata që nuk mund të sigurojnë shpenzimet, nëse janë të sinqertë me Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Nuk ka vend për vërejtje ndaj punëmirëve. Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.
(Nuk ka gjynah) as për ata të cilët, kur vijnë te ti për të kërkuar kafshë shalimi e ti u thua: “Unë nuk mund t’ju siguroj kafshë shalimi”, kthehen me sytë e tyre që u rrjedhin lot, ngaqë nuk mundën të gjenin gjë për të dhënë (në rrugë të Allahut).
Por ka vend për t’u qortuar ata, që kërkojnë leje nga ti, duke qenë të pasur. Ata kënaqen të rrinë me ata që nuk shkojnë në luftë. Allahu ua ka vulosur atyre zemrat, por ata nuk dinë.
Kur të ktheheni tek ata, do t’ju vijnë duke u shfajësuar. Thuaju: “Mos kërkoni falje! Sido që të jetë, ne nuk ju besojmë, sepse Allahu na ka lajmëruar për qëllimet tuaja. Me siguri, Allahu dhe i Dërguari i Tij do t’i shohin veprat tuaja; pastaj ju do të ktheheni tek Ai, që i di gjërat e padukshme dhe të dukshme e do t’ju lajmërojë për atë që keni bërë.
Kur të ktheheni tek ata, do t’ju betohen për Allahun që t’i lini. Largohuni prej tyre! Ata janë të ndyrë dhe strehimi i tyre është Xhehenemi. Ky është dënimi për veprat e tyre.
Ata do t’ju betohen që të jeni të kënaqur me ata. Nëse ju do të jeni të kënaqur me ata, dijeni se Allahu sigurisht që nuk është i kënaqur me popullin e pabindur.
Beduinët janë mohuesit dhe hipokritët më të mëdhenj dhe më të prirët për të mos njohur kufijtë që Allahu ia ka shpallur të Dërguarit të Tij. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.
Ndër beduinët, ka të atillë, që shpenzimin në rrugë të Allahut, e quajnë si gjobë dhe presin që ju t’ju godasë ndonjë fatkeqësi. Le t’i godasë ata radha e fatkeqësisë! Allahu dëgjon dhe di gjithçka.
Po ka nga beduinët të atillë që besojnë Allahun dhe Ditën e Kiametit dhe shpenzimin (në rrugë të Allahut) e quajnë si mjet për t’iu afruar Allahut dhe për të merituar bekimin e të Dërguarit. Dhe vërtet që kjo do t’u sjellë afrimin: Allahu do t’i pranojë ata në mëshirën e Vet. Njëmend, Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë.
Sa u përket besimtarëve të parë, prej muhaxhirëve[126] dhe ensarëve[127], Allahu është i kënaqur me ata dhe me të gjithë të tjerët që i pasuan me vendosmëri e përkushtim në besim; edhe ata janë të kënaqur me Atë. Allahu ka përgatitur për ata kopshte nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të jetojnë përgjithmonë. Kjo është fitorja madhështore!
[126] Muhaxhirët janë myslimanët e Mekës që emigruan nga Meka në Medinë gjatë viteve të para të Islamit, për shkak të persekutimit që pësuan nga banorët e Mekës. [127] Ensarët janë myslimanët e Medinës që strehuan dhe ndihmuan Profetin Muhamed (a.s.) dhe muhaxhirët e tjerë myslimanë që erdhën nga Meka.
Ka beduinë në mjedisin tuaj, që janë hipokritë, por ka edhe ndër banorët e Medinës të atillë që janë këmbëngulës në hipokrizi. Ti nuk i di ata. Ne i dimë. Ne do t’i dënojmë dy herë[128] e pastaj, do të kthehen në dënimin e madh (në Xhehenem).
Ndërkaq, disa të tjerë i pranojnë gjynahet e veta, se i kanë përzier veprat e mira me të këqijat. Ka gjasë që Allahu t’ua pranojë pendimin. Vërtet, Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë.
Merr nga pasuria e tyre lëmoshë me të cilën t’i pastrosh ata dhe t’ua rrisësh veprat e mira! Lutu për ta, sepse lutja jote është vërtet qetësim për ata. Allahu dëgjon dhe di gjithçka.
Thuaj: “Punoni, se Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët do të shohin punën tuaj. Së shpejti do të ktheheni tek Ai që di të dukshmen dhe të padukshmen e Ai do t’ju njoftojë për atë që keni bërë.”
(Hipokritë) janë edhe ata që ndërtuan një xhami për t’u shkaktuar dëm (besimtarëve), për ta forcuar mohimin dhe për të krijuar përçarje në mesin e besimtarëve, duke iu shërbyer ajo si pusi atyre që qysh më parë luftonin kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Dhe, vërtet ata betohen: “Ne kishim për qëllim që të bënim vetëm një vepër të mirë”! Por Allahu dëshmon se në të vërtetë ata janë gënjeshtarë.
Ti në atë xhami kurrë mos fal namaz. Ndërsa xhamia e themeluar në përkushtim (ndaj Allahut) që në ditën e parë, pa dyshim që është më e denjë për të falur namaz në të. Aty ka njerëz që duan të pastrohen. Allahu i do ata që pastrohen shpesh.
Cili është më i mirë, ai që themelet e godinës së vet i vë në përkushtimin ndaj Allahut dhe në kënaqësinë e Tij apo ai që themelet e godinës së tij i vë në bregun e gërryer dhe që rrokulliset me të në zjarrin e Xhehenemit?! Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë popullin keqbërës.
Në të vërtetë, Allahu ka blerë nga besimtarët jetën dhe pasurinë e tyre, në këmbim të Xhenetit. Ata luftojnë në rrugën e Allahut, vrasin dhe vriten. (Ky është) premtimi i Tij i vërtetë në Teurat, Ungjill dhe Kuran. E kush i përmbahet besëlidhjes më fort se Allahu? Andaj, gëzojuni kësaj shitjeje! Kjo është fitorja madhështore.
(Këta janë) ata që pendohen, e adhurojnë Allahun, e falënderojnë Atë, agjërojnë, përkulen (në namaz), bien në sexhde (gjatë namazit), urdhërojnë vepra të mira, pengojnë të këqijat dhe u përmbahen kufijve të caktuar nga Allahu. Jepu lajmin e mirë besimtarëve!
Nuk i takon të Dërguarit dhe besimtarëve që të kërkojnë falje për idhujtarët, qofshin këta edhe të afërmit e tyre, pasi u është bërë e qartë se ata janë banorë të Xhehenemit.
Ndërsa lutja e Ibrahimit për faljen e babait të tij, ka qenë vetëm për shkak të një premtimi, që i kishte bërë. Por, kur iu bë e qartë se i ati ishte armik i Allahut, ai u nda prej tij. E megjithatë, Ibrahimi ishte njeri i dhembshur dhe i butë.
Allahu kurrë nuk e çon në humbje një popull që më parë e ka udhëzuar në rrugë të drejtë, pa ia bërë të njohur se prej çfarë duhet të ruhet. Me të vërtetë, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë.
Pa dyshim, Allahu e pranoi pendimin e të Dërguarit, të muhaxhirëve dhe të ensarëve, të cilët shkuan pas atij në çastin e vështirë, pasi zemrat e disave prej tyre për një fije qenë afër shmangies (nga detyra), pastaj Allahu pranoi pendimin e tyre[129]. Vërtet, Ai është i Butë dhe i Mëshirshëm me ta.
[129] Bëhet fjalë për fushatën e Tebukut, e cila ka ndodhur në vitin 9 H / 631 e.s.
Ai ua pranoi pendimin edhe atyre të treve[130], që mbetën prapa atëherë, kur toka, sado e gjerë, iu duk e ngushtë dhe iu shtrënguan shpirtrat, aq sa u bindën se nuk ka strehim tjetër përveç Allahut e pastaj Allahu u dha mëshirë që të pendohen. Me të vërtetë, Allahu pranon pendimin dhe është Mëshirëplotë.
[130] Bëhet fjalë për tre nga shokët e Profetit Muhamed (a.s.) që u tërhoqën dhe nuk morën pjesë bashkë me të në fushatën e Tebukut.
Banorëve të Medinës dhe beduinëve që janë rreth saj, nuk u lejohet të mos ndjekin të Dërguarin e Allahut, as të kursejnë jetën e tyre para jetës së tij. Kjo është kështu, sepse ata që janë në rrugën e Allahut, sa herë që t’i godasë etja, lodhja e uria dhe sa herë që të shkelin në ndonjë vend ku do t’i zemërojnë mohuesit apo t’i gjejë gjë nga ana e armikut, atyre do t’iu shkruhet si vepër e mirë. Me të vërtetë, Allahu nuk do t’ua humbë shpërblimin punëmirëve.
(Gjithashtu) sa herë që ata të shpenzojnë diçka të vogël a të madhe apo të kapërcejnë çfarëdo lugine (në rrugë të Allahut), kjo do t’u shënohet, në mënyrë që Allahu t’i shpërblejë sipas veprave më të mira që kanë bërë!
Nuk është mirë që besimtarët të shkojnë në luftë të gjithë njëherësh, por prej çdo bashkësie, një grup të mbetet mbrapa, që të thellohet në mësimin e fesë dhe kështu të këshillojë popullin e vet, mbasi të kthehet nga lufta, që t’i frikësohet Allahut.
O besimtarë! Luftoni kundër mohuesve që gjenden afër jush dhe le ta ndiejnë ata ashpërsinë tuaj. Dhe, ta dini se Allahu është me ata që ruhen nga gjynahet.
Kur shpallet ndonjë sure, disa prej atyre (që kanë dyshim dhe hipokrizi) thonë: “Kujt prej jush do t’ia shtojë besimin kjo sure?” Për sa u përket besimtarëve, atyre (kjo sure) ua shton besimin dhe ata gëzohen.
Kur shpallet ndonjë sure (që u tërheq vërejtje), ata shikojnë njëri-tjetrin (duke thënë): “A po ju sheh ndokush?”[131], pastaj largohen. Allahu i shmang zemrat e tyre, sepse ata janë njerëz që nuk kuptojnë!
[131] “A po ju sheh ndokush?”: Jobesimtarët mohojnë praninë e Allahut, duke mohuar kështu faktin që një sure mund të flasë për ata apo mund të kritikojë sjelljet e tyre.
Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.
Ibisobanuro bya qoran ntagatifu - Ibisobanuro mucya albaniya- Hasan nahi - Ishakiro ry'ibisobanuro
Guhindura ibisobanuro bya Quran mucyinya Albania byakozwe na Hassan Nahi , bigashyirwa hanze n’ikigo cy’imitekerereze cya ki Islam ndetse n’iterambera cya Albania bigasohorwa muri 2006
Contents of the translations can be downloaded and re-published, with the following terms and conditions:
1. No modification, addition, or deletion of the content.
2. Clearly referring to the publisher and the source (QuranEnc.com).
3. Mentioning the version number when re-publishing the translation.
4. Keeping the transcript information inside the document.
5. Notifying the source (QuranEnc.com) of any note on the translation.
6. Updating the translation according to the latest version issued from the source (QuranEnc.com).
7. Inappropriate advertisements must not be included when displaying translations of the meanings of the Noble Quran.
Igisubizo cy'ibyashatswe:
API specs
Endpoints:
Sura translation
GET / https://quranenc.com/api/v1/translation/sura/{translation_key}/{sura_number} description: get the specified translation (by its translation_key) for the speicified sura (by its number)
Parameters: translation_key: (the key of the currently selected translation) sura_number: [1-114] (Sura number in the mosshaf which should be between 1 and 114)
Returns:
json object containing array of objects, each object contains the "sura", "aya", "translation" and "footnotes".
GET / https://quranenc.com/api/v1/translation/aya/{translation_key}/{sura_number}/{aya_number} description: get the specified translation (by its translation_key) for the speicified aya (by its number sura_number and aya_number)
Parameters: translation_key: (the key of the currently selected translation) sura_number: [1-114] (Sura number in the mosshaf which should be between 1 and 114) aya_number: [1-...] (Aya number in the sura)
Returns:
json object containing the "sura", "aya", "translation" and "footnotes".