O besimtarë! Përmbushni detyrimet! Ju janë lejuar bagëtitë (për ngrënie), përveç atyre që ju kumtohen (si të ndaluara), me përjashtim të gjahut kur jeni në ihram (gjatë haxhillëkut dhe umres). Allahu cakton çfarë të dëshirojë.
O besimtarë! Mos i përdhosni shenjat e Allahut, as muajin e shenjtë, as kurbanet e Qabesë, as kurbanet e shenjuara me gjerdanë e as ata që mësyjnë Shtëpinë e Shenjtë (Qabenë) duke kërkuar begatinë dhe kënaqësinë e Zotit të vet. Kur të liroheni nga ihrami, atëherë (mund të) gjahtoni. Kurrsesi të mos ju shtyjë urrejtja ndaj disa njerëzve që ju kanë penguar nga Xhamia e Shenjtë që të bëni padrejtësi. Ndihmoni njëri-tjetrin në mirësi e devotshmëri dhe mos ndihmoni në gjynahe e armiqësi! Frikësojuni Allahut, sepse Allahu është i rreptë në ndëshkim.
Janë ndaluar për ju: ngordhësira, gjaku, mishi i derrit, kafsha që theret jo në emër të Allahut, kafsha e furur, kafsha e mbytur nga goditja, kafsha e rrëzuar nga një vend i lartë, ajo që është goditur nga briri, ajo që është kafshuar nga egërsirat, përveç asaj që e therni ju (para se të ngordhë) dhe ajo që theret për hir të idhujve, po ashtu (është ndaluar për ju) të kërkoni fatin me short. Të gjitha këto janë mosbindje. Sot, jobesimtarët i humbën shpresat (për t'ju zmbrapsur) nga feja juaj. Andaj, mos kini frikë prej tyre, por kini frikë prej Meje! Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj. Mirëpo, nëse ndokush shtrëngohet nga uria (të hajë diçka të ndaluar), pa dashur të mëkatojë, atëherë Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.
Të pyesin se ç'është e lejuar për ta (që të hanë), thuaju: "Ju lejohen gjërat e mira dhe gjahu që kapin kafshët që i keni stërvitur për gjueti ashtu siç ju ka mësuar Allahu." Pra, hani atë që kapin për ju dhe përmendeni emrin e Allahut[1]! Kijeni frikë Allahun, sepse Allahu është i shpejtë në llogari.
Sot ju janë lejuar gjërat e mira, e edhe ushqimet[1] e ithtarëve të Librit janë të lejuara për ju, por edhe ushqimet tuaja janë të lejuara për ta. Po ashtu (janë të lejuara për ju) gratë e dëlira besimtare dhe gratë e dëlira nga ata që u është dhënë Libri para jush, në qoftë se ua jepni mehrin e vet, me qëllim martese e jo kurvërie e as duke i marrë ato për dashnore. Kushdo që mohon besimin, veprat e tij janë asgjësuar dhe në botën tjetër do të jetë i humbur.
O besimtarë! Kur (doni) të ngriheni për namaz, lani fytyrat dhe duart tuaja deri në bërryla dhe fërkoni kokën (me duar të lagura), si dhe lani këmbët deri në nyje. Nëse jeni xhunubë, atëherë lahuni (tërësisht)! Ndërkaq, nëse jeni të sëmurë ose jeni në udhëtim, ose keni kryer nevojën, ose keni bërë marrëdhënie me gratë tuaja e nuk gjeni ujë (për t'u pastruar), atëherë fërkoni fytyrat dhe duart tuaja me dhé të pastër. Allahu nuk dëshiron t'jua rëndojë, por dëshiron t'ju pastrojë dhe të plotësojë dhuntinë e Tij ndaj jush, që të jeni mirënjohës.
Kujtoni dhuntinë e Allahut ndaj jush dhe besën që mori nga ju kur thatë: "Dëgjojmë dhe bindemi!" Frikësojuni Allahut, se, pa dyshim, Allahu e di mirë çfarë ka në zemra.
O besimtarë! Bëhuni të patundur në kryerjen e urdhrave të Allahut dhe dëshmitarë të drejtë! Kurrsesi të mos ju shtyjë urrejtja ndaj disa njerëzve që t'i shmangeni drejtësisë! Jini të drejtë, sepse kjo është më afër devotshmërisë dhe frikësojuni Allahut! Pa dyshim, Allahu di hollësisht gjithçka që bëni.
O besimtarë! Kujtojeni dhuntinë e Allahut ndaj jush kur disa njerëz synuan të zgjasin duart e tyre kundër jush (për t'ju sulmuar), ndërsa Allahu sprapsi duart e tyre. Kijeni frikë Allahun dhe vetëm Allahut le t'i mbështeten besimtarët!
Allahu mori besën e bijve të Israilit dhe caktoi dymbëdhjetë prijës prej tyre e u tha: "Unë jam me ju. Në qoftë se e falni namazin, e jepni zekatin, i besoni të dërguarit e Mi, i përkrahni ata dhe i jepni Allahut hua të mirë[1], gjithsesi do t'jua shlyej gjynahet tuaja dhe do t'ju fus në kopshte të Xhenetit nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Por, kushdo nga ju që mohon pas kësaj, ai, me të vërtetë, ka humbur rrugën e drejtë.
Ngaqë ata e thyen besëlidhjen e tyre, Ne i mallkuam dhe ua bëmë zemrat të ashpra. Ata i nxjerrin fjalët nga kuptimi i tyre dhe kanë harruar një pjesë nga ajo me të cilën urdhëroheshin. Ti do të vëresh pareshtur tradhtinë e tyre, përveç një pakice nga ata. Megjithatë, falua (fajet) dhe lëri, se Allahu i do vepërmirët.
Po ashtu, edhe nga ata që thonë: "Ne jemi të krishterë" kemi marrë besën e tyre, por ata harruan një pjesë nga ajo me të cilën u urdhëruan, andaj Ne ngjallëm armiqësi e urrejtje ndërmjet tyre deri në Ditën e Kiametit. Allahu do t'i njoftojë ata lidhur me atë që bënin.
O ithtarë të Librit! Juve ju erdhi i Dërguari Ynë, i cili ju sqaron shumë gjëra që i keni fshehur prej Librave dhe shumë të tjera i kalon (pa i përmendur). Juve ju erdhi nga Allahu një dritë dhe Libër i qartë,
përmes të cilit Allahu i përudh ata që ndjekin kënaqësinë e Tij në rrugët e shpëtimit, i nxjerr nga errësirat në dritë me lejen e Tij dhe i udhëzon në rrugë të drejtë.
Pa dyshim, janë jobesimtarë ata që thonë: "Allahu është Mesihu, biri i Merjemes!" Thuaju: "Atëherë, kush do të mund ta pengonte Allahun, nëse Ai do të dëshironte të shkatërronte Mesihun - birin e Merjemes, nënën e tij dhe të gjithë ata që janë në Tokë?! Vetëm Allahut i takon sundimi i qiejve e i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet mes tyre. Ai krijon çfarë të dëshirojë. Allahu është i Plotfuqishëm për çdo gjë.
Hebrenjtë dhe të krishterët thonë: "Ne jemi bijtë e Allahut dhe të dashurit e Tij." Thuaju: "Atëherë, përse ju ndëshkon për gjynahet tuaja?! Përkundrazi, ju jeni njerëz nga ata që ka krijuar. Ai fal kë të dojë dhe ndëshkon kë të dojë." Vetëm Allahut i takon sundimi i qiejve e i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet mes tyre dhe tek Ai është kthimi.
O ithtarë të Librit! Juve ju erdhi i Dërguari Ynë pas një periudhe ndërprerjeje (të vargut) të të dërguarve, i cili jua sqaron gjërat, që ju të mos thoni: "Nuk na ka ardhur asnjë kumtues i lajmeve të mira e as paralajmërues". Ja, ju erdhi kumtuesi i lajmeve të mira e paralajmëruesi. Allahu është i Plotfuqishëm për çdo gjë.
Kujto kur Musai i tha popullit të vet: "O populli im! Kujtoni dhuntinë e Allahut ndaj jush kur prej jush bëri pejgamberë, ju bëri mbretër dhe ju dha çfarë nuk i kishte dhënë asnjë populli (të asaj kohe).
Ata thanë: "O Musa! Në atë vend është një popull i fuqishëm, prandaj ne nuk do të hyjmë në të derisa ata të dalin nga aty, e, nëse ata dalin, atëherë do të hyjmë ne.
Dy burra nga ata që kishin frikë (Allahun) dhe të cilët i kishte begatuar Allahu thanë: "U hyni atyre nga porta (e qytetit)! Sapo të hyni në të, ju do të jeni ngadhënjimtarë! Vetëm Allahut mbështetjuni, nëse jeni besimtarë!"
Allahu tha: "Ajo (tokë) u është ndaluar atyre për dyzet vjet. Ata do të bredhin të humbur nëpër botë, por ty të të mos vijë keq për popullin e pabindur."
Ua lexo atyre me vërtetësi lajmin e dy bijve të Ademit, kur ata flijuan nga një kurban, por njërit iu pranua, kurse tjetrit nuk iu pranua, kështu që ai tha: "Gjithsesi do të të vras!" Tjetri tha: "Me të vërtetë, Allahu pranon vetëm nga të devotshmit.
Unë parapëlqej që ti të bartësh barrën e gjynahut kundrejt meje dhe të gjynaheve të tua (të mëparshme) e të bëhesh prej banorëve të Zjarrit. Ky është ndëshkimi i keqbërësve."
Allahu dërgoi një korb që të gërmonte tokën, për t'i treguar si ta mbulonte xhenazen e të vëllait. Ai tha: "Ah, i mjeri unë! A nuk qenkam në gjendje të bëhem as si ky korb e të mbuloj trupin e vëllait tim!" Pra, u bë nga të penduarit.
Për këtë shkak Ne u shpallëm bijve të Israilit se, kushdo që vret ndokënd që nuk ka vrarë njeri e nuk ka bërë çrregullime në Tokë është sikurse të ketë vrarë tërë njerëzimin dhe kush shpëton një jetë është sikurse të ketë shpëtuar tërë njerëzimin. Në të vërtetë, atyre u erdhën të dërguarit Tanë me dëshmi të qarta, por edhe pas kësaj shumë nga ata tejkaluan kufijtë në Tokë.
Në të vërtetë, ndëshkimi i atyre që luftojnë kundër Allahut e të Dërguarit të Tij dhe që bëjnë shkatërrime në Tokë është që të vriten, ose të mbërthehen në kryq, ose t'u priten duart dhe këmbët tërthoras, ose të dëbohen nga vendi. Kjo është poshtërim për ta në këtë botë, ndërsa në botën tjetër do të kenë dënim të madh,
Me të vërtetë, sikur jobesimtarët të kishin gjithë pasurinë që gjendet në Tokë, madje edhe një herë aq, e ta jepnin për të shpëtuar nga dënimi i Ditës së Kiametit, nuk do të pranohej prej tyre dhe për ta do të ketë dënim të dhembshëm.
Pa dyshim, atij që pendohet pas padrejtësisë që ka bërë dhe përmirësohet, Allahu ia pranon pendimin, se, me të vërtetë, Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.
A nuk e di ti se vetëm Allahut i takon sundimi i qiejve e i Tokës?! Ai ndëshkon atë që do dhe e fal atë që do. Allahu është i Plotfuqishëm për çdo gjë.
O i Dërguar! Mos të të brengosin ata që me rrëmbim bien në mosbesim, të cilët thonë me gojë: "Besojmë", ndërsa zemrat e tyre nuk besojnë, e as ata që janë hebrenj, të cilët i dëgjojnë me zell gënjeshtrat dhe i dëgjojnë me zell disa të tjerë që nuk kanë ardhur te ti. Ata shtrembërojnë kuptimet e fjalëve dhe thonë: "Po qe se ju jepet (vendimi) kështu, pranojeni, e në qoftë se nuk ju jepet kështu, atëherë kini kujdes!" Për atë që Allahu dëshiron ta lërë në humbje, ti nuk mund të bësh asgjë kundrejt Allahut. Këta janë ata që Allahu nuk deshi t'ua pastronte zemrat. Për ta, në këtë botë, do të ketë poshtërim, kurse në botën tjetër do të ketë dënim të madh.
Ata i dëgjojnë gënjeshtrat me zell dhe gllabërojnë pasurinë e ndaluar. Nëse vijnë te ti, gjyko mes tyre ose shmangiu atyre. Nëse shmangesh nga ta, nuk do të mund të të bëjnë dëm aspak, por, nëse gjykon, atëherë gjyko ndërmjet tyre me drejtësi! Me të vërtetë, Allahu i do të drejtët.
E si mund të kërkojnë ata gjykim nga ti, ndërkohë që e kanë Teuratin, në të cilin gjendet gjykimi i Allahut?! Madje, pas gjithë kësaj, ata kthejnë shpinën! Në të vërtetë, ata nuk janë besimtarë.
Në të vërtetë, Ne e kemi zbritur Teuratin në të cilin ka udhëzim dhe dritë. Sipas tij, pejgamberët që ishin të përulur (ndaj Allahut) i gjykonin hebrenjtë, po kështu (vepronin) edhe dijetarët dhe rabinët, sepse atyre u qe besuar ruajtja e Librit të Allahut dhe ishin dëshmitarë të (vërtetësisë së) tij. Pra, mos kini frikë nga njerëzit, por kini fikë nga Unë dhe mos i këmbeni Fjalët e Mia me ndonjë çmim të ulët! Ata që nuk gjykojnë sipas asaj që ka shpallur Allahu janë mohues të vërtetë.
Ne u caktuam atyre në Teurat: jetë për jetë, sy për sy, hundë për hundë, vesh për vesh, dhëmb për dhëmb, por edhe për plagët vlen kisasi (ligji i barazisë në ndëshkim). Kushdo që fal atë (duke hequr dorë nga hakmarrja), atëherë kjo është shlyerje gjynahesh për të. Ata që nuk gjykojnë sipas asaj që ka shpallur Allahu janë keqbërës të vërtetë.
Pastaj, Ne dërguam në gjurmët e tyre Isain, birin e Merjemes, për të vërtetuar atë që erdhi para tij në Teurat dhe i dhamë atij Inxhilin në të cilin ka udhëzim e dritë, si vërtetues të asaj që ishte shpallur para tij në Teurat dhe si udhërrëfim e këshillë për të devotshmit,
Ne ta kemi zbritur ty (o Muhamed) Librin me të vërtetën, si vërtetues të librave të mëparshëm dhe si dëshmues të tyre. Andaj gjyko ndërmjet tyre me atë që ta ka shpallur Allahu dhe mos ndiq dëshirat e tyre e të shmangesh kështu nga e vërteta që të erdhi. Për çdonjërin nga ju kemi bërë ligj dhe rrugë të qartë. Sikur të donte Allahu, do t'ju kishte bërë një bashkësi të vetme, por Ai deshi t'ju sprovojë në atë që jua ka dhënë. Andaj, bëni gara në punë të mira! Të gjithë ju do të ktheheni tek Allahu e Ai do t'ju njoftojë për çështjet rreth të cilave ratë në kundërshti.
Pra, gjyko ndërmjet tyre me atë që ta ka shpallur Allahu dhe mos i ndiq dëshirat e tyre! Ki kujdes që ata të të mos shmangin nga një pjesë e asaj që ta ka shpallur Allahu! Nëse ata kthejnë shpinën, atëherë dije se Allahu dëshiron t'i ndëshkojë ata për disa gjynahe të tyre. Me të vërtetë, shumë njerëz janë të pabindur.
O besimtarë! Mos i merrni për mbrojtës e miq hebrenjtë dhe të krishterët, sepse ata janë miq të njëri-tjetrit! Kushdo prej jush që i miqëson ata është me ta. Me të vërtetë, Allahu nuk i udhëzon në rrugë të drejtë keqbërësit.
Ti i sheh ata që kanë sëmundje në zemra sesi nxitojnë drejt (miqësimit të) tyre, duke thënë: "Druajmë mos po na godet ndonjë fatkeqësi!" Mbase Allahu do të sjellë fitore ose ndonjë vendim nga ana e Tij e ata të pendohen pastaj për atë që fshihnin në vetvete.
Atëherë, besimtarët do të thonë: "Vallë, këta janë ata që betoheshin fuqishëm se njëmend ishin me ju?!" Veprat e tyre do të asgjësohen dhe ata do të jenë humbës.
O besimtarë! Kushdo nga ju që del nga feja e tij, (le ta dijë se) Allahu do të sjellë (në vend të tyre) njerëz që i do dhe që e duan, të mëshirshëm me besimtarët e të ashpër me jobesimtarët, që luftojnë në rrugën e Allahut dhe që nuk i tremben qortimit të asnjë qortuesi. Kjo është mirësia e Allahut të cilën Ai ia jep atij që do. Allahu është Bujar i Madh dhe i Gjithëdijshëm.
Në të vërtetë, miqtë dhe mbrojtësit tuaj janë Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët, të cilët e falin namazin, e japin zekatin dhe janë të përulur (ndaj Allahut).
O besimtarë! Mos i zini për miq ata që fenë tuaj e marrin për tallje e lojë, qofshin prej atyre që u është dhënë Libri para jush, qofshin prej idhujtarëve! Frikësojuni Allahut, nëse jeni besimtarë!
Thuaj: "O ithtarë të Librit! A na keni mëri për tjetër vetëm pse ne e besojmë Allahun, atë që na është shpallur neve e atë që ishte shpallur më parë dhe (besojmë) se shumica prej jush janë të pabindur (ndaj Allahut)?"
Thuaj: "A t'ju tregoj kush do të ketë dënim më të rëndë tek Allahu? Ata që i ka mallkuar Allahu dhe në të cilët është hidhëruar e i ka shndërruar disa nga ata në majmunë e derra dhe në adhurues të tagutëve[1]. Këta janë në vendin më të keq dhe janë më të humburit nga rruga e drejtë.
Hebrenjtë thonë: "Dora e Allahut është e shtrënguar!" U shtrëngofshin duart e tyre dhe mallkuar qofshin për atë që thonë! Përkundrazi, të dy duart e Tij janë të shtrira: dhuron si të dojë. Ajo që të është shpallur ty nga Zoti yt shumicës prej tyre do t'ua shtojë mosbindjen e mosbesimin. Ne kemi futur armiqësi e urrejtje ndërmjet tyre deri në Ditën e Kiametit. Sa herë që ata ndezin zjarrin e luftës, Allahu ua shuan atë. Ata përpiqen pareshtur të bëjnë shkatërrime në tokë, por Allahu nuk i do shkatërrimtarët.
Sikur ithtarët e Librit të besonin e të kishin frikë Allahun, sigurisht që Ne do t'ua shlyenim veprat e liga dhe do t'i fusnim në kopshtet e lumturisë.
Po qe se ata do t'i përmbaheshin Teuratit e Inxhilit dhe asaj që u është shpallur nga Zoti i tyre, do të gëzonin mirësi nga (qielli) sipër tyre dhe (nga toka) nën këmbët e tyre. Disa nga ata janë të drejtë, por ajo që bëjnë shumica e tyre është e shëmtuar.
O i Dërguar! Kumto atë që të është shpallur nga Zoti yt! Në qoftë se nuk e bën, atëherë nuk e ke kumtuar shpalljen e Tij. Allahu të mbron nga njerëzit. Me të vërtetë, Allahu nuk e udhëzon popullin jobesimtar.
Thuaj: "O ithtarë të Librit! Nuk mbështeteni në asgjë, derisa t'i përmbaheni Teuratit dhe Inxhilit, si dhe asaj që ju është shpallur nga Zoti juaj. Ajo që të është shpallur ty nga Zoti yt, shumicës prej tyre do t'ua shtojë mosbindjen e mosbesimin, por ti mos u brengos për njerëzit jobesimtarë!
Sigurisht, ata që kanë besuar (muslimanët), hebrenjtë, sabianët dhe të krishterët, të gjithë ata që besojnë Allahun e Ditën e Gjykimit dhe bëjnë vepra të mira, nuk kanë pse të frikësohen e as kanë përse të brengosen.[1]
[1] Shih fusnotën tek ajeti i 62-të i sures el Bekare.
Në të vërtetë, Ne morëm besën e bijve të Israilit dhe u çuam atyre të dërguar. Sa herë që u shkonte ndonjë i dërguar me diçka që nuk u pëlqente, disa i quanin gënjeshtarë e disa i vrisnin.
Ata menduan se nuk do të kishte ndëshkim, kështu që u bënë të verbër dhe të shurdhër. Pastaj Allahu ua pranoi atyre pendimin; por sërish shumë prej tyre u bënë të verbër dhe të shurdhër. Allahu sheh mirë gjithçka që bëjnë ata.
Pa dyshim, janë jobesimtarë ata që thonë: "Allahu është Mesihu, biri i Merjemes!" Vetë Mesihu ka thënë: "O bijtë e Israilit! Adhurojeni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj, sepse vërtet atij që adhuron dikë a diçka tjetër përveç Allahut, Allahu do t'ia ndalojë Xhenetin dhe strehimi i tij do të jetë Zjarri. Për keqbërësit nuk do të ketë asnjë ndihmës.
Sigurisht, janë jobesimtarë ata që thonë: "Allahu është njëri prej trinisë!" Nuk ka zot përveç një Zoti të Vetëm (të Vërtetë)! Nëse ata nuk ndalen nga ajo që thonë, patjetër që jobesimtarët nga mesi i tyre do t'i kapë një dënim i dhembshëm.
Mesihu, biri i Merjemes, ishte vetëm i dërguar. Edhe para tij pati të dërguar dhe nëna e tij ishte besnike e vërtetë. Të dy hanin ushqim![1] Shih se si ua sqarojmë atyre provat dhe shih se si shmangen (nga e vërteta)!
[1] Prandaj, si mund të jetë Zot dikush që ka nevojë për ushqim?!
Thuaj: "O ithtarë të Librit! Mos i tejkaloni kufijtë në fenë tuaj (duke dalë) përtej së vërtetës dhe mos ndiqni dëshirat e një populli që kishte rënë në humbje më parë dhe kishte çuar në humbje (edhe) shumë (të tjerë) e ishin larguar nga rruga e drejtë."
Ata bij të Israilit që e mohuan të vërtetën u mallkuan prej gjuhës së Davudit dhe Isait, birit të Merjemes. Kjo, se kundërshtonin dhe i tejkalonin kufijtë.
Ti sheh shumë nga ata sesi miqësohen me jobesimtarët. Sa e shëmtuar është ajo që i përgatitën vetes; që Allahu të zemërohet me ta dhe të jenë në dënim përherë.
Njëmend, ti do të vëresh se njerëzit me armiqësinë më të ashpër ndaj besimtarëve janë hebrenjtë e idhujtarët dhe do të vëresh se më të afërmit në dashuri ndaj besimtarëve janë ata që thonë: "Ne jemi të krishterë." Kjo, se prej tyre ka priftërinj e murgj dhe se ata nuk janë mendjemëdhenj (kundrejt së vërtetës).
Kur dëgjojnë atë që iu shpall të Dërguarit (Muhamed), i sheh sytë e tyre sesi rrjedhin lot pasi e kuptojnë të vërtetën. Ata thonë: "Zoti ynë! Ne besuam, andaj na llogarit ndër dëshmitarët!
Kështu, Allahu do t'i shpërblejë për fjalët e tyre me kopshte të Xhenetit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Ja pra, ky është shpërblimi i punëmirëve.
Allahu nuk ju merr në llogari për betimet që i bëni pa dashje, por ju merr në llogari për betimet e qëllimshme. Shlyerja (e gjynahut) për to[1] është të ushqeni dhjetë të varfër nga ushqimi mesatar me të cilin ushqeni familjet tuaja, ose t'i vishni ata, ose të lironi një rob. Ai që nuk ka mundësi, le të agjërojë tri ditë. Kjo është shlyerja për thyerjen e betimeve tuaja, nëse betoheni. Mirëpo, ruani betimet tuaja! Kështu Allahu jua sqaron ajetet e Tij, që të jeni mirënjohës.
O besimtarë! Me të vërtetë pijet dehëse, kumari, idhujt dhe shigjetat e fallit janë vetëm ndyrësi prej punëve të shejtanit. Prandaj, largohuni nga ato, që të shpëtoni!
Shejtani dëshiron vetëm që të mbjellë armiqësi e urrejtje mes jush përmes pijeve dehëse e kumarit dhe t'ju pengojë nga kujtimi i Allahut dhe nga namazi. Pra, a do të ndaleni tashmë?
Bindjuni Allahut e bindjuni të Dërguarit dhe kini kujdes! Nëse kundërshtoni, atëherë dijeni se i Dërguari Ynë ka për detyrë vetëm kumtimin e qartë (të Shpalljes)!
Nuk ka gjynah për ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira për atë që kanë ngrënë (para se të ndalohej), për sa kohë që ata ruhen (nga gjynahet), besojnë dhe bëjnë vepra të mira, sërish ruhen e besojnë dhe sërish ruhen e bëjnë vepra të mira. Allahu i do vepërmirët.
O besimtarë! Njëmend, Allahu do t’ju sprovojë me diçka nga gjahu që mund ta arrijnë duart dhe shtizat tuaja[1], në mënyrë që Allahu të njohë atë që i frikësohet Atij pa e parë. Kushdo që më pas bën shkelje, do të ketë dënim të dhembshëm.
[1] Gjatë kohës kur jeni në ihram dhe e keni të ndaluar gjuetinë.
O besimtarë! Mos e vritni gjahun duke qenë në ihram! Kushdo nga ju që e vret gjahun me paramendim, si dënim duhet të therë si kurban në Qabe një kafshë shtëpiake të ngjashme me kafshën që ka vrarë, për të cilën gjykojnë dy njerëz të drejtë nga mesi juaj; ose duhet të ushqejë si shpagim disa të varfër; ose të agjërojë në atë masë që ta ndiejë ndëshkimin e fajit të bërë. Allahu fal për atë që ka kaluar, porse atë që e përsërit, Allahu do ta ndëshkojë. Allahu është i Gjithëfuqishëm dhe i Zoti për hakmarrje.
Ju është lejuar gjuetia e detit dhe ushqimi i tij si furnizim për ju dhe për udhëtarët, por ju është ndaluar gjahu i tokës për sa kohë që jeni në ihram. Frikësojuni Allahut, tek i Cili do të tuboheni!
Allahu e bëri Qabenë, Shtëpinë e Shenjtë, vatër sigurie për njerëzit, po ashtu edhe muajt e shenjtë, kurbanet e gjerdanet, në mënyrë që ta dini se Allahu e di çfarë ka në qiej e çfarë ka në Tokë dhe se Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo gjë.
O besimtarë! Mos pyetni për gjëra, që, sikur t'ju thuheshin haptazi, nuk do t'ju pëlqenin. E, nëse pyesni për to teksa shpallet Kurani, ato do t'ju bëhen të qarta, ndërkohë që Allahu jua ka falur ato. Allahu është Falës i Madh e i Butë.
Allahu nuk ka përligjur as Behirën, as Saiben, as Vesilën e as Hamin, por jobesimtarët trillojnë gënjeshtra për Allahun. Shumica e tyre nuk kuptojnë.
[1] Seid ibn Musejebi ka thënë: "Behira ishte deveja, mjeljen e së cilës arabët ua dedikonin idhujve të tyre, prandaj askujt nuk i lejohej ta milte. Saibe quhej deveja e dedikuar për idhuj në rast zotimi, prandaj nuk përdorej për bartje." Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “E kam parë Amër ibn Amir Huzaiun duke tërhequr zvarrë zorrët e tij në Zjarr. Ai ka qenë i pari që devetë ua ka dedikuar idhujve.” Vesile quhej deveja që në dy lindjet e para lindte femra. Pra, nuk lindte deve meshkuj mes këtyre (dy lindjeve). Kështu, arabët e dedikonin për idhujt e tyre. Hami quhej deveja mashkull që mbarste një numër të madh devesh dhe, pasi përfundonte periudhën e tij të mbarsjes, e dedikonin për idhuj dhe nuk e përdornin për bartje. (Buhariu, 4623)
Kur atyre u thuhet: "Ejani tek ajo që ka shpallur Allahu dhe tek i Dërguari!", ata thonë: "Na mjafton ajo (rrugë) në të cilën i kemi gjetur etërit tanë." Vallë, edhe nëse etërit e tyre nuk dinin gjë dhe nuk ishin të përudhur?!
O besimtarë! Kujdesuni për vetveten! Ai që është i humbur nuk mund t'ju bëjë dëm, nëse ju jeni në rrugë të drejtë. Të gjithë ju do të ktheheni tek Allahu e Ai do t'ju njoftojë për atë që keni punuar.
O besimtarë! Kur ndonjërit prej jush i afrohet vdekja, gjatë lënies së porosisë (testamentit), le të dëshmojnë dy njerëz të drejtë nga mesi juaj, ose dy të tjerë që nuk janë prej jush, nëse jeni në udhëtim dhe ju zë gjëma e vdekjes. Në qoftë se dyshoni, mbajini pas namazit, le të betohen në Allahun: "Nuk e shesim atë për asnjë çmim, edhe nëse bëhet fjalë për ndonjë të afërm dhe nuk e fshehim dëshminë e Allahut, sepse atëherë do të ishim vërtet gjynahqarë."
Nëse zbulohet se ata kanë bërë gjynah, atëherë ata le të zëvendësohen me dy të tjerë prej atyre që janë të afërm (të të ndjerit), pastaj le të betohen në Allahun (duke thënë): "Me të vërtetë dëshmia jonë është më e drejtë se dëshmia e tyre dhe ne nuk bëjmë shkelje, përndryshe do të ishim njëmend zullumqarë."
Kjo është më afër që ata të japin një dëshmi të saktë ose të kenë frikë se betimi i tyre do të zhvlerësohet përmes një betimi tjetër. Frikësojuni Allahut dhe dëgjoni! Allahu nuk i udhëzon në rrugë të drejtë njerëzit e pabindur.
Kujtoni ditën kur Allahu do t'i tubojë të dërguarit e do t'u thotë: "Si ju janë përgjigjur?" Ata do të thonë: "Ne nuk kemi dijeni. Ti je i Vetmi që i di të gjitha fshehtësitë."
Kur Allahu do të thotë: "O Isa, biri i Merjemes, kujto dhuntinë Time ndaj teje dhe ndaj nënës sate, se si të përforcuam me Shpirtin e Dëlirë (Xhibrilin), kështu që u flisje njerëzve që në djep, e edhe në burrëri; se si të mësova Shkrimin e Urtësinë, Teuratin dhe Inxhilin; se si krijoje diç prej baltës në formë zogu, me lejen Time, pastaj fryje në të dhe ai bëhej zog (i vërtetë), me lejen Time; se si i shëroje të verbrit dhe të lebrosurit me lejen Time; se si i ngjallje të vdekurit, me lejen Time; se si i pengova bijtë e Israilit prej teje, kur ua solle dëshmitë e qarta e jobesimtarët nga mesi i tyre thanë: "Kjo s'është tjetër veçse magji e kulluar";
dhe se si i frymëzova nxënësit (dishepujt): "Besoni në Mua dhe në të dërguarin Tim!" Ata thanë: "Ne besojmë, andaj dëshmo se ne jemi muslimanë (të nënshtruar ndaj Teje)!"
Kujto kur nxënësit thanë: "O Isa, biri i Merjemes, a mund të na zbresë Zoti yt një sofër nga qielli?" Ai tha: "Kini frikë Allahun, nëse jeni besimtarë!"
Isai, biri i Merjemes, tha: "O Allah, o Zoti ynë! Na zbrit një sofër nga qielli, që të jetë festë për ne, për të parin e të fundin tonë dhe të jetë një shenjë prej Teje e na jep të mira, sepse Ti je Furnizuesi më i mirë!"
Allahu tha: "Unë po jua zbres atë, por cilindo nga ju që mohon pas kësaj, vërtet do ta dënoj me një dënim me të cilin nuk do të dënoj askënd tjetër në botë."
Kujto kur Allahu do të thotë: "O Isa, biri i Merjemes! Vallë, ti u the njerëzve: "Më merrni mua dhe nënën time si dy hyjni krahas Allahut?!" Ai (Isai) do të thotë: "Ti je i patëmeta! Mua nuk më takon të them diçka për të cilën nuk kam aspak të drejtë. Po t'u kisha thënë ashtu, Ti, me siguri, do ta dije. Ti e di çfarë ka në shpirtin tim, kurse unë nuk e di çfarë ka në Qenien Tënde. Ti je i Vetmi që i di të gjitha fshehtësitë.
Unë nuk u kam thënë asgjë tjetër përveç asaj që më ke urdhëruar: "Ta adhuroni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj!" Unë isha dëshmitar mbi ta sa isha në mesin e tyre, por, kur më more mua, vetëm Ti ishe mbikëqyrës i tyre. Ti je dëshmitar për çdo gjë.
Allahu do të thotë: "Kjo është dita në të cilën të çiltërve do t'u sjellë dobi çiltërsia e tyre. Për ta ka kopshte të Xhenetit, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Allahu është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur me Të. Kjo është fitorja madhështore.
Contents of the translations can be downloaded and re-published, with the following terms and conditions:
1. No modification, addition, or deletion of the content.
2. Clearly referring to the publisher and the source (QuranEnc.com).
3. Mentioning the version number when re-publishing the translation.
4. Keeping the transcript information inside the document.
5. Notifying the source (QuranEnc.com) of any note on the translation.
6. Updating the translation according to the latest version issued from the source (QuranEnc.com).
7. Inappropriate advertisements must not be included when displaying translations of the meanings of the Noble Quran.
തിരയൽ ഫലങ്ങൾ:
API specs
Endpoints:
Sura translation
GET / https://quranenc.com/api/v1/translation/sura/{translation_key}/{sura_number} description: get the specified translation (by its translation_key) for the speicified sura (by its number)
Parameters: translation_key: (the key of the currently selected translation) sura_number: [1-114] (Sura number in the mosshaf which should be between 1 and 114)
Returns:
json object containing array of objects, each object contains the "sura", "aya", "translation" and "footnotes".
GET / https://quranenc.com/api/v1/translation/aya/{translation_key}/{sura_number}/{aya_number} description: get the specified translation (by its translation_key) for the speicified aya (by its number sura_number and aya_number)
Parameters: translation_key: (the key of the currently selected translation) sura_number: [1-114] (Sura number in the mosshaf which should be between 1 and 114) aya_number: [1-...] (Aya number in the sura)
Returns:
json object containing the "sura", "aya", "translation" and "footnotes".